Gjykata Supreme e rrëzon ankesën e VV-së kundër Sami Lushtakut dhe PDK-së

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kundër Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), lidhur me deklaratat e kandidatit për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku, të bëra gjatë fushatës zgjedhore.

LVV kishte kërkuar që ndaj PDK-së dhe Lushtakut të shqiptohen masa sanksionuese, duke pretenduar se ai kishte bërë thirrje për dhunë më 13 shtator, në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, kur tha se:

“Qytetarët e këtij vendi duhet me dalë në rrugë dhe me dalë në protestë… ata duhet t’i ngrehim zvarrë nëpër rrugët e Prishtinës.”

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kishte refuzuar më herët ankesën e LVV-së, duke vlerësuar se deklarata nuk ishte drejtuar ndaj një subjekti apo individi të caktuar dhe nuk përbënte shkelje të Ligjit për Zgjedhjet.

Gjykata Supreme, duke shqyrtuar ankesën dhe provat, konstatoi se vendimi i PZAP-it është i drejtë dhe i bazuar në ligj, duke theksuar se pretendimet e LVV-së nuk janë provuar dhe nuk kanë mbështetje ligjore.

Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme la në fuqi vendimin e PZAP-it dhe e refuzoi ankesën e LVV-së si të pathemeltë.

Lexo edhe:  Zjarri në Akrashticë i djeg shtallën dhe ushqimin familjes Gashi