Pse Thaçi po e Rugova jo? Williams në Hagë: Pa UÇK-në, negociatat do të ishin thjesht fasadë
Paul Williams, avokati ndërkombëtar dhe ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, ka shpjeguar në Dhomat e Specializuara pse Hashim Thaçi u zgjodh kryesues i delegacionit.
Ai tha se kjo ishte e pashmangshme, pasi negociatat duhej të përfshinin “aktorët joshtetërorë, por të armatosur”, duke e cilësuar UÇK-në si “dimensionin kyç të fabrikës politike të Kosovës”.
Sipas Williams, ndërkombëtarët do të ishin “thellësisht të frustruar” nëse negociatat do të udhëhiqeshin vetëm nga presidenti Ibrahim Rugova, i cili gjithmonë theksonte vetëm “pavarësinë dhe mos-përdorimin e dhunës”.
“Nëse shqiptarët do të thoshin se Rugova e Bukoshi do të negocionin, ndërkombëtarët do të pyesnin: ku janë aktorët e armatosur? Përndryshe do të ishte vetëm një fasadë, një Potemkin,” tha Williams.