Çun apo qen? – PZAP merr vendim për deklaratën e Faton Pecit
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar si të pabazuar ankesën e PDK’së ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kishte pretenduar se kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, e kishte fyer kundërshtarin e tij nga PDK, Arian Tahiri, duke i thënë “qen” gjatë një debati televiziv.
Në vendimin e marrë sot, më 17 shtator 2025, PZAP thuhet se: Nuk ekziston asnjë dëshmi e besueshme që ta mbështesë pretendimin e tillë. Përkundrazi, provat në dispozicion dëshmojnë qartë përdorimin e fjalës ‘çun’, e cila nuk përbën ofendim.
Në ankesën e PDK-së, fjala e pretenduar “qen” cilësohej si gjuhë fyese që “ka krijuar një atmosferë të tillë që nxit urrejtje dhe polarizim, përkundër parimeve të etikës që duhet udhëheqin procesin zgjedhor.”
Madje aty thuhej se kjo fyerje “ka nxitur polemika të shumta, duke pasur ndikim negativ jo vetëm në procesin zgjedhor, por edhe në marrëdhëniet shoqërore dhe politike në komunitet.
Megjithatë, PZAP konstatoi se dëshmitë tregojnë të kundërtën.
Në vendim thuhet se “dëshmitarë se kemi të bëjmë me fjalën ‘çun’ e jo ‘qen’.
“Në këtë rast nuk ka pasur shprehje fyese ose denigruese nga ana e kandidatit në fjalë”, duke e shpallur ankesën e PDK-së si të pabazuar”.