Rubin kthehet prapa: E dija që Hill s’ishte miqësor ndaj Thaçit, e dija se do jepte komente negative për të tek senatori Doll

Ish-zv/sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin është duke vazhduar deklarimin e tij disa orësh në Hagë.
Pas pyetjeve nga Prokuroria, më pas disa nga ekipi mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, James Rubin po i përgjigjet pyetjeve të trupit gjykues.

Ndër të tjerash njëri nga gjykatësit pyeti Rubin për disa deklarime të bëra para disa viteve.

“Mesa më kujtohet mua periudha e Rambujesë dhe mesa e kuptoj unë, situatën e tij – Kjo është një deklaratë që është para disa muajve në këtë vit dhe thjesht  kam përshkruar situatën duke e parë në retrospektivë. Ashtu e kam kuptuar asokohe. Ishte e vështirë për të se i duhej miratimi, sepse kishte persona që donin me doemos pavarësi dhe ideja e një shqiptari të vërtetë, unë thjesht pasqyrova diçka që kam kuptuar kohë më vonë, S’kam emër konkret, mendoj se Demaçi ishte thjesht një shembull i këtij grupi”,deklaroi Rubin.

“Pse thoni ju pothuajse tradhtar…?”.

“Mendoj se është e vështirë që t’i thuash dikujt që ka luftuar dhe ka vendosur jetën në rrezik, ta quash tradhtar. Unë jam përpjekur të bëj një dallim në mes pikëpamjeve ekstremiste. Disa persona thjesht donin pavarësinë tani e ky ishte një person që ka rrezikuar jetën, e lider i një kauze që nuk ishte pro gjithçkaje që ishin ekstremistët, prandaj e kam thënë pothuajse”, shtoi Rubin.

Tutje gjykatësi vazhdoi të pyeste “Sipas këtij paragrafi u është treguar një deklaratë për shtyp e 6 marsit 1999, ka lidhje një deklaratë ku Chris Hill ka qenë i pranishëm… sipas kësaj ata kanë shkuar në Shkup Doll dhe Hill një ditë më përpara, për të qenë pjesë e delegacionit të Kosovë për t’i bindur për nënshkrim të marrëveshjes. Doll thotë se Thaci s’ka qenë i pranishëm kur po e kërkonte e thotë se ju kujtohet ky rast se s’po e gjenin ku ishte e prandaj Albright ju thirri juve e pyeti ku është personi juaj Thaçi pra. Albright nuk donte që të ndodhnin gabime prandaj ju dërgoi juve bashkë me Thaçin që të siguroheshit që të nënshkruante në Paris, pasi ata ishin të shqetësuar- ju kujtohet ta keni thënë-Se mos i ndodhte diçka apo ndryshonte mendje Thaçi?”.

Lexo edhe:  Iu gjet trupi 25 vjet pas zhdukjes, varroset në Piranë të Prizrenit patrioti Ukë Sait Ukaj

“Po.E di se Chris Hill s’ishte shumë miqësor ndaj z. Thaçi.  E dija se do të jepte disa shpjegime negative e do bënte komente negative për Thaçin, tek delegacioni amerikan, tek gazetarët e mund t’i bënte këto komente edhe për senatorin Doll. Pra qëndrimi nuk dihet të ishte që i shkreti Thaci është fshehur, po pse nuk është këtu kur kemi senatorin Doll këtu. Pse bën sikur është kreu i ndonjë shteti e sikur është person i rëndësishëm. Isha i vetëdijshëm që Chris Hill kishte influencë të madhe në këtë situatë dhe përpiqesh të thoja mbase mbeti diku në bjeshkë, mbase është në rrezik- nuk ed ija pse nuk është këtu. Ideja ishte të shkoja në Paris me të, sepse ma kërkoi ajo dhe më tha se ajo vet nuk mund të vinte çdoherë e nëse s’do jem unë të paktën të jesh ti, ta inkurajosh ta bëj atë që do ta bënte. Se ai mua më tha që nëse i japim pak kohë shtesë në mes Rambujesë e Parisit do bënte të pamundurën që të vinte të nënshkruante e mendonte se mënyra më e mirë të nënshkruante ishte të shkonte me një person që ia kishte premtuar. Ai ishte gati të nënshkruante, patëm biseda shumë frymëdhënëse”, deklaroi Rubin, transmeton lajmi.net.

“Ju besoni se Thaci duhej të udhëtonte përmes bjeshkëve, e për këtë s’mund të ishte më para tek z.Doll?”.

“Kjo më kujtohet edhe mua, kjo konfirmonte pikërisht shqetësimin tim, që Hill do të jepte imazhin e një personi të papërgjegjshëm e që s’ishte në pozicion të z.Doll e unë paeditur thash se duhet të ketë një shpjegim legjitim për këtë. E kur morëm vesh shpjegimin thash është shpjegim me vend. Më kujtohet se ka pasur një arsye se pse ishte aq i kujdesur Thaçi në arsyet e veta. Jo s’e kam parë këtë fletëarrestim, thjesht kam dëgjuar por s’kam besuar që ka ekzistuar”,theksoi Rubin.

Lexo edhe:  Policia ndalon 17 persona

Ndryshe dje gjatë deklarimit, ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin e ka quajtur të anshëm dhe kundër UÇK-së Christopher Hillin, ish-ambasadorin amerikan që gjatë luftës në Kosovë shërbeu si i dërguar special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në Hagë, ku ka shkuar për t’i mbrojtur ish-krerët e UÇK-së, iu lexua një deklaratë e Hill, ku ai pretendonte se ndihmësi i Albright gjatë negociatave për ndaljen e luftës në Rambuje po i fokusonte të gjitha përpjekjet te Hashim Thaçi.

“Christopher Hill ka qenë i anshëm dhe unë e kisha vënë re këtë. Ai nuk ishte i paanshëm. Ishte i anshëm në favor të LDK-së dhe ishte kundër UÇK-së. Unë kam qenë i paanshëm. Mua më është kërkuar të punoj me udhëheqësin e vetëshpallur të delegacionit. Chris Hill, në mënyrë shumë të pamatur e bën sikur unë flisja me Hashim Thaçin për kostumet e tij. Christopher Hill këtu ka qenë i anshëm, është përpjekur të ma dëmtojë figurën mua dhe këtë e ka bërë në mënyrë të vazhdueshme. Gjithashtu është përpjekur ta dëmtojë edhe Sekretaren Albright, duke thënë se ajo është e influencuar nga drejtuesi i delegacionit të UÇK-së në Rambuje dhe në fakt ne thjesht kishim një objektiv që deshëm ta arrinim atje. Unë desha t’i realizojë objektivat e Sekretares Albright. Christopher Hill, në mënyrë të pavërtetë, duke shpikur histori, është përpjekur të ma dëmtojë mua imazhin, ka minimizuar edhe rolin tim si diplomat, duke nënkuptuar se ai ka qenë një diplomat i mirë”, tha ai.

Sipas Rubin, Hill po prishte punë në negociatat në Rambuje.

“Në fakt ai është personi që i dëmtoi disa nga diskutimet atje dhe nuk ishte personi që të na ndihmonte me UÇK-në dhe për shkak të tij, ne nuk e morëm PO-në nga UÇK-ja për marrëveshje, dhe kjo pati pasoja”, tha ai dje.

Lexo edhe:  Rrahje mes dy familjeve në Barilevë për shkak të borxhit, arrestohen pesë persona