Rubin në Hagë: Thaçi kërcënohej nga ushtria serbe në kohën e Rambujesë – hynte e dilte nga Kosova përmes maleve

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin po vazhdon dëshminë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku aktualisht ai po përgjigjet në pyetjet e trupit gjykues, rreth zhvillimeve të Konferencës së Rambujesë dhe rolit të Hashim Thaçit.

Rubin tha se edhe pse nuk kishte prova materiale për kërcënimet ndaj Thaçit, kishte sinjale se ai ishte nën presion.

“Dua të jem sa më i qartë: nuk kam pasur prova materiale se ai ishte i kërcënuar. Rambujeja ishte një mjedis tensioni. Thaçi ishte një person i ri për mua dhe njerëzit më thonin gjëra për UÇK-në dhe shqiptarët e Kosovës. Kjo ishte një përvojë e re. Dikush nga ekipi im më tha se ai ishte i kërcënuar. Në këto raste bisedoja me të, për të kuptuar nëse ishte apo jo. Më kujtohet se më ka thënë sa e vështirë ishte për të të hynte dhe të dilte nga Kosova përmes maleve. Mendoj që kërcënimet vinin nga serbët. Ai kërcënohej nga ushtria serbe” deklaroi Rubin.

Ai foli edhe për marrëveshjet e Rambujesë, duke theksuar se ato ishin të detajuara dhe komplekse, por nuk përfshinin pavarësinë e Kosovës.

“Marrëveshjet e Rambujesë, për ata që i kanë lexuar, janë të gjera dhe të hollësishme, përfshirë edhe faktin se NATO të ishte struktura ushtarake dominuese, gjë që ishte kundër dëshirës së UÇK-së për të dhënë siguri për popullin e vet. Ne kishim bërë atë që quhet marrëveshje ‘në parim’. Këto marrëveshje nuk e përmbanin pavarësinë” – tha ai.

Rubin theksoi se atmosfera në Rambuje ishte e ngarkuar dhe plot tension, duke shtuar se për UÇK-në vendimet ishin të vështira për shkak të presioneve të shumta dhe mungesës së garancive për pavarësinë.

Lexo edhe:  Vritet një person në Lipjan dhe familjari i tij mbetet i lënduar