Dy eprorët policorë të suspenduar për spiunazh me Serbinë

Policia e Kosovës javë më parë është goditur nga një ngjarje e rëndë dhe diskredituese për imazhin e saj, si pasojë e dyshimit të ngritur se dy eprorë të saj – një rreshter dhe një kapiten – janë përfshirë në veprimtari kriminale kundër rendit juridik dhe kushtetues të vendit, duke spiunuar për shtetin serb. Për këtë goditje, të cilën Policia u mundua ta mbajë larg mediave dhe syrit të publikut.

Mirëpo, siç mëson Sinjali, nuk ishte vetëm media dhe publiku që u lanë në “terr” për këtë ngjarje të rëndë. I njëjti fat e ka përcjellë edhe Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), i cili jo vetëm që është institucion i mandatuar për të hetuar raste të tilla, por edhe ligjërisht ka kompetencë ekskluzive për të hetuar veprat penale të kryera nga zyrtarët policorë, pa dallim grade apo pozite .

Mësohet se hetimi ndaj rreshteres Lumnije Behluli dhe kapitenit Agim Vitija, të suspenduar më 2 shtator për spiunazh, është zhvilluar larg syve të IPK-së. Burimet tona thonë se ndaj të dy eprorëve janë kryer intervista, u janë sekuestruar telefonat dhe veprimet hetimore janë udhëhequr nga Prokuroria Speciale, të asistuar nga Policia dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), duke e mbajtur IPK-në krejtësisht jashtë procesit hetimor.

Ligji për Inspektoratin Policor është i qartë: Policia, sapo të marrë dijeni se një zyrtar i saj dyshohet për kryerjen e një vepre penale, është e obliguar të informojë jo vetëm Prokurorinë, por edhe IPK-në . Në rastin konkret, kjo dispozitë nuk është respektuar.

Një burim i Sinjalit brenda AKI-së ka pohuar se arsyeja pse IPK-ja është mbajtur jashtë lidhet me afërsinë e ish-drejtorit të Hetimeve në IPK, Burim Raçi, me rreshteren Behluli, duke krijuar dyshime për rrjedhje të mundshme informacioni. Për këtë arsye, sipas tij, Prokuroria, Policia dhe AKI kanë zgjedhur ta zhvillojnë hetimin jashtë çdo përfshirjeje të IPK-së, ndërsa i njëjti trajtim është bërë edhe në rastin e kapitenit Vitija, pasi hetimi ishte i përbashkët dhe nuk mund të ndahej pa u rrezikuar provat.

Lexo edhe:  Ku dhe si i gjeti policia kamerat e institucioneve të sigurisë serbe në veri?

Nëse kjo është arsyeja e vetme apo thjesht një justifikim, mbetet të shihet. Por fakti që IPK është përjashtuar nga një hetim i tillë kaq delikat, hap dilema serioze: a bëhet fjalë për mungesë besimi të Prokurorisë, Policisë ndaj këtij institucioni, apo për një injorim të hapur të kompetencave të tij ligjore? Deri më tani, as Policia, as Prokuroria dhe as IPK nuk kanë dhënë ndonjë informacion e as nuk kanë lëshuar ndonjë komunikatë lidhur me këtë rast, siç ndodh rëndom, madje për raste edhe më pak të rëndësishme.

Një përjashtim i tillë i IPK-së nga një rast kaq delikat nuk është vetëm shkelje e ligjit, por edhe sinjal alarmi se vetë shteti po i minon mekanizmat e tij të kontrollit dhe llogaridhënies.