E rëndë: Familja i shkoi në mërgim, 21-vjeçarja s’mund ta përballojë mungesën – tenton t’i jap fund jetës

Numri i madh i rasteve të tentim vetëvrasjeve gjithandej vendit është mjaft shqetësues. Pothuajse çdo ditë, qytetarë të moshave të ndryshme tentojnë të vetëvriten përmes formave të ndryshme. Familjet janë ato që përjetojnë jashtëzakonisht rëndë këto raste, të cilat shpesh nuk ndodhen pranë familjarëve të tyre, në momente të tilla kritike.

Kështu ka ndodhur edhe të shtunën në mbrëmje, në një shtëpi në fshatin Piranë të Prizrenit, ku një 21-vjeçare ka tentuar t’i jap fund jetës, duke konsumuar preparate higjienike, si pasojë e gjendjes së rëndë emocionale në të cilën ndodhej tash e një kohë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se pasi rasti është denoncuar në Polici janë kuptuar detjaet dhe motivi që e shtynë vajzën që të tentojë të bëjë vetëvrasje.

Siç mëson Sinjali, 21-vjeçarja dyshohet se tentoi ta kryejë këtë akt për shkak të mërzisë që kishte për mungesën e familjes së saj, e cila ndodhet jashtë vendit, teksa ajo jeton e vetme në shtëpinë e tyre në fshat.

Kjo situatë e kishte rënduar vajzën edhe më shumë periudhën e fundit, derisa mbrëmë përfundoi në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit, për të marrë trajtim mjekësor, për shkak të konsumimit të domestosit.

Pasi Policia është vënë në dijeni ka dalë në vendin e ngjarjes, për të zbuluar informacionet e para për ngjarjen, teksa më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “vetëvrasje në tentativë”.

Lexo edhe:  Amerika e ndalon eksportin e dyshekëve "Comodita", ka dyshime