Ali Ahmeti, Edi Rama dhe Shqipe Selimi përkrahën protestën masive në Hagë, krerët e shtetit të Kosovës nuk e thanë asnjë fjalë

Sot, në Hagë të Holandës është mbajtur protestë masive kundër padrejtësive që po bëhen gjatë gjykimit të krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po gjykohen për krime lufte.

Në këtë protestë të organizuar nga Organizatat e Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), kanë marrë pjesë rreth 10 mijë qytetarë të Kosovës nga e mbarë bota, të cilët i kanë falënderuar edhe vetë organizatorët.

“Falënderim i veçantë për mërgimtarët, luftëtarët, qytetarët dhe mediat që morën pjesë në protestën e sotme të organizuar nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së. Mesazhi ynë i përbashkët ishte i qartë: Jo në emrin tim”, ka shkruar OVL-UÇK.

Gjatë protestës, kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare të mos lejojnë padrejtësi ndaj Kosovës.

“Bota demokratike nuk duhet t’i mbyllë sytë karshi padrejtësive kaq të mëdha. U bëjmë thirrje ndërkombëtarëve që të mos ndëshkohet Kosova për lirinë e saj. Drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë. Këtu jemi për të thënë se nuk do të lejojmë të nëpërkëmbët sakrifica e Kosovës”, deklaroi Gucati.

Në lidhje me këtë protestë, sot ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili tha se me mendje është atje.

“Liria ka emër. Me zemër e mendje jam edhe unë atje sot Komandant. Liri për çlirimtarët”, shkroi Rama në Facebook, ku ndau edhe një video.

Protestën e mbështeti edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, i cili në rrjete sociale u rreshtua në krah të ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar protestën një akt të drejtësisë kundër padrejtësive të Speciales.

“Sot, në Sheveningen të Hagës, bashkë me mërgimtarë dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së, dëshmuam edhe një herë se liria jonë nuk gjykohet!”, shkroi ndër të tjera Ahmeti në Facebook.

Lexo edhe:  Dimal Basha: Këta të PDK-së prej Drenicës kanë dalë në Prishtinë, e nuk e votojnë marrëveshjen për ngrohtoren e kryeqytetit

Ndonëse Rama e Ahmeti i dolën në mbështetje kësaj proteste, askush nga udhëheqësit e shtetit të Kosovës nuk shkruan asnjë fjalë për të.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e gjithashtu edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha nuk kanë shkruar asnjë fjalë për këtë protestë masive që është mbajtur sot në Hagë.

Në lidhje me këtë, nga VV ka shkruar vetëm deputetja Shqipe Mehmeti Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit.

“Protestë e domosdoshme dhe në vendin e duhur! Shpreh mirënjohjen time dhe i falënderoj të gjithë qytetarët nga Kosova dhe nga mbarë bota që u bashkuan në Hagë, për të ngritur zërin kundër padrejtësive që po ndodhin”, shkroi ajo në Facebook.

Nga PDK dhe AAK përveç reagimeve të shumta në Facebook dhe rrjete tjera sociale, shumë deputetë edhe kanë udhëtuar drejt Hagës për të marrë pjesë në këtë protestë.

Një protestë kundër padrejtësive në Hagë, është mbajtur edhe në Prishtinë, më 7 gusht të këtij viti ku numri i qytetarëve që kanë marr pjesë ka qenë shumë i madh. As për këtë protestë, nuk pati reagime nga krerët e shtetit të Kosovës.