Arrestimi i kameramanit Muji, reagon Osmani: Do të ndërmarr masa ligjore ndaj mediave që përndjekin vajzat e mia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj disa mediave të cilat, sipas saj, po përndjekin në mënyrë të vazhdueshme, të kundërligjshme dhe të rrezikshme vajzat e saj të mitura.

Në një reagim publik, Osmani tha se për pesë vite me radhë, vajzat e saj kanë ndjekur mësimin në shkollën publike “Ismail Qemali” në Prishtinë, duke theksuar vështirësitë me të cilat janë përballur si shumë nxënës të tjerë – nga mungesa e ujit e energjisë, deri te mbipopullimi i klasave dhe mungesa e sigurisë.

Ajo theksoi se asnjëherë nuk u raportua fakti që fëmijët e Presidentes ndiqnin mësimin në një shkollë publike me shumë sfida, ndryshe nga shumë politikanë apo gazetarë që i dërgojnë fëmijët në shkolla private brenda dhe jashtë vendit.

“E vetmja gjë që bënin disa nga këta të ashtuquajtur gazetarë, ishte rrezikimi i sigurisë së vajzave të mia… duke publikuar vendndodhjen, klasat, fytyrat e tyre pa leje dhe pa asnjë konsideratë për moshën e tyre të mitur”, tha Presidentja.

Sipas saj, këto veprime përbëjnë jo vetëm shkelje ligjore, por edhe rrezik real për sigurinë fizike dhe psikologjike të fëmijëve. Ajo njoftoi se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj atyre që, siç u shpreh, “nuk kanë për qëllim informimin e publikut, por rrezikimin e jetës së fëmijëve”.

Ndër të tjera, Presidentja bëri të ditur se vendimi për ndryshimin e shkollës ka ardhur për shkak të nivelit të lartë të rrezikshmërisë dhe largësisë së shkollës nga vendbanimi i ri i familjes.

Në fund, Osmani theksoi se si Presidente nuk ka asnjë kompetencë ekzekutive mbi sistemin arsimor, përveç dhënies së sugjerimeve, dhe i bëri thirrje mediave që të respektojnë privatësinë e fëmijëve të mitur, pavarësisht pozicionit të prindërve të tyre.

Lexo edhe:  Sigurimet shëndetësore, Haxhiu: Kurti sot publikisht e paska pranuar se ka dështuar në shëndetësi

Reagimi i saj ka ardhur pas arrestimit të kameramanit Jetmir Muji, i cili ishte duke xhiruar për një raport rreth shkollimit të vajzave të Presidentes Osmani, kur është ndaluar nga mbrojtja e afërt e saj, i është konfiskuar kamera dhe i është kërkuar që të fshijë materialet.