Gjilanasi i ekstraduar në SHBA pranon fajësinë për krime kibernetike, rrezikon 10 vjet burg
Shtetasi kosovar, Liridon Masurica, i cili në maj të këtij viti u ekstradua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për krime kibernetike në dëm të qytetarëve amerikanë, ka pranuar fajësinë, ka njoftuar prokurori i Shteteve të Bashkuara, Gregory W. Kehoe.
Masurica përballet me një dënim maksimal prej 10 vitesh burgim federal.
“Sipas marrëveshjes së pranimit të fajësisë, Masurica ishte administratori kryesor i BlackDB.cc—një treg i paligjshëm online që ka operuar nga viti 2018 deri në vitin 2025. Ky treg ofronte ilegalisht për shitje llogari dhe kredenciale serverësh të komprometuara, informacione kartelash krediti dhe të dhëna të tjera personale të individëve, kryesisht të vendosur në Shtetet e Bashkuara, përfshirë ata që ndodheshin në juridiksionin e Qarkut të Mesëm të Floridës. Pasi bliheshin, kriminelët kibernetikë i përdornin artikujt e marrë në BlackDB.cc për të kryer një gamë të gjerë aktivitetesh të paligjshme, përfshirë mashtrim tatimor, mashtrim me kartela krediti dhe vjedhje identiteti.”, thuhet në njoftim.
Masurica u arrestua nga autoritetet në Kosovë më 12 dhjetor 2024 dhe më pas u ekstradua në Shtetet e Bashkuara, në bazë të traktatit të ekstradimit mes SHBA-së dhe Kosovës.
Data e shpalljes së dënimit të tij ende nuk është caktuar.