Rrahje mes të miturve në Viti, ekspozohet arma e zjarrit – një i ndaluar

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është raportuar në qytetin e Vitisë, ku një konflikt mes të miturve ka përfunduar me rrahje dhe ekspozim të armës së zjarrit.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 13:00, në rrugën “UÇK”, ku tre të rinj janë përfshirë në një përleshje fizike.

Të dyshuarit janë identifikuar si: E.H., rreth 17-vjeçar, E. Z., rreth 16-vjeçar dhe D.F.rreth 17-vjeçar.

Sipas hetimeve, gjatë incidentit është ekspozuar një armë zjarri, ndërsa viktimat kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Gjilan – Departamenti për të Mitur, është vendosur që: ndaj E.H të iniciohet kallëzim penal për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, duke u ndaluar për 24 orë, ndërsa ndaj E. Z. dhe D. F. të ngrihet kallëzim penal për “Lëndim i lehtë trupor” në procedurë të rregullt.

Rasti është duke u hetuar për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të ngjarjes.

Lexo edhe:  Përleshje në Prishtinë: 13-vjeçari ther me thikë disa herë një të mitur, ai e sulmon me boks hekuri