Vjedhje e rëndë në Mitrovicë – hajnat i marrin 20 mijë euro të moshuarës 77-vjeçare, iu prezantuan si zyrtarë komunalë
Një 77-vjeçare në Mitrovicën e Veriut ka rënë viktimë e një mashtrimi dhe vjedhjeje të rëndë, që i ka shkaktuar humbje prej plot 20 mijë eurosh.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur më 7 shtator, rreth orës 14:00, në rrugën “Lole Ribara”, kur dy persona të panjohur i trokitën në derë duke u prezantuar si zyrtarë komunalë.
Fillimisht i kërkuan 4,200 dinarë për një kinse “pagesë komunale”, por më pas hynë në banesë dhe ia “avulluan” të moshuarës paratë e mbajtura aty – 20 mijë euro.
Rasti u denoncua një ditë më vonë, më 8 shtator, në polici. Hetuesit e stacionit dhe ata rajonal janë angazhuar në rast, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar procedura për “Vjedhje të rëndë”.
Hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.