Konflikt për pronë në Vushtrri, 49-vjeçari kërcënoi me armë, përfundon në pranga
Një mosmarrëveshje për pronë ka eskaluar sot në Vushtrri, duke përfunduar me kërcënime dhe arrestimin e një 49-vjeçari.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur rreth orës 14:00 në rrugën “Sheshi Hasan Prishtina”, ku Gzim Ademi rreth 50-vjeçar dyshohet se ka kërcënuar Naser Hysenin rreth 54-vjeçar, pas një debati rreth një toke që ky i fundit kishte blerë më herët nga kushërinjtë e të dyshuarit.
Sipas dëshmive, Ademi fillimisht e ka kanosur verbalisht Hysenin, ndërsa më pas ka vendosur dorën në brez duke krijuar frikë se mund të përdorte armë. Situata është parandaluar falë ndërhyrjes së disa personave të pranishëm.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Policia ka ushtruar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Gojbulë – Vushtrri, ku është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri e tipit TT, një karikator dhe 8 fishekë kalibër 7.62 mm.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit është dërguar në ndalim për 48 orë. Rasti është iniciuar për veprat penale “Kanosje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.