Emërimi i dostit të Kurtit në krye të ATK-së, Çitaku: Shokët e familjarët vetëm për dasma, apo?

Vlora Citaku nga Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj emërimit të Mentor Hysenit si drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës nga kryeministri Albin Kurti.

Ajo e ka cilësuar Hysenin “militant partiak” dhe ish-kandidat për deputet, duke potencuar se ky emërim reflekton klientelizëm dhe nepotizëm në qeverinë Kurti 2.

“Ja pra, këta që nga opozita bënin betejë kundër nepotizmit e klientelizmit, dhe e kishin gojën plot meritokraci e parime, me të ardhur në pushtet u zhveshën nga çdo vlerë që predikonin. Ende besoj se e vetmja e mirë e Qeverisë Kurti 2 është demistifikimi i Albin Kurtit. Shokët e familjarët vetëm për dasma, apo?”, shkroi ajo.

Njeriu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe shoku i kryeministrit Kurti, Mentor Hyseni është emëruar drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përmes një deklarate në Facebook.

“Pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore, është përzgjedhur dhe emëruar Drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni”.

Lexo edhe:  Vdes 22-vjeçari që u ther me thikë në Podujevë pas mosmarrëveshjes në trafik