E raportoi si të humbur para dy vitesh – 66-vjeçari nga Vitia e gjen armën e tij në shtëpi

Një ngjarje e pazakontë është zbuluar në Viti, ku një armë zjarri e raportuar si e humbur para dy vitesh është “zbuluar” sërish… në shtëpinë e pronarit.

Siç mëson Sinjali, në qershor të vitit 2023, I.Q nga fshati Drobesh kishte njoftuar Policinë se nuk po gjente armën e tij të tipit SIG Sauer 9mm, të cilën e posedonte me leje të rregullt deri më 25 janar 2027.

Në atë kohë, ai kishte deklaruar se shtëpia nuk kishte pësuar dëmtime dhe nuk kishte pasur shenja vjedhjeje, duke ngritur dyshime për zhdukjen e armës.

Rasti ishte proceduar tek Njësia e Hetimeve në Stacionin Policor të Vitisë për hetime të mëtejme.

Por, më 11 gusht 2025, Q. është paraqitur sërish në polici, duke deklaruar se arma nuk ishte humbur fare. Ai ka treguar se e kishte gjetur brenda shtëpisë së tij, në një vend tjetër nga ai ku e mbante zakonisht, duke e cilësuar ngjarjen si pasojë e “harresës”.

Hetimet për rastin janë mbyllur, ndërsa arma ka mbetur në pronësi të ligjshme të 66-vjeçarit.

Lexo edhe:  Sveçla: Kemi të dhëna se ish – policët e Kosovës u përfshin në ngjarjet e djeshme në Veri