Abedin Hoxha, viktima e tretë në ngjarjen tragjike në Gjilan

Ngjarja e rëndë e ndodhur dje në Gjilan, ku mbetën të vrarë tre persona dhe u plagosën dy të tjerë, ka tronditur opinionin publik.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë është Mefail Shkodra, i njohur për të kaluarën e tij kriminale, përfshirë edhe arrestimin vitin e kaluar nën dyshimin për fajde.

Viktima e tretë e kësaj tragjedie është identifikuar si Abedin Hoxha, babai i të plagosurit Bujar Hoxha, i cili është dhëndër i një prej viktimave të tjera, Selami Hasani.

Familja Hoxha, përmes një njoftimi, ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e familjarit të tyre:

“Të dashur familjarë, miq dhe qytetarë, me dhimbje të thellë e me zemra të thyera ju njoftojmë se babai, vëllai, daja dhe familjari ynë i dashur Abedin Mehmetali Hoxha, sot ndërroi jetë në rrethana të rënda tragjike në Gjilan. Për varrimin e tij do t’ju njoftojmë nesër.”

Hetimet për rastin vazhdojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes.

Lexo edhe:  Vjedhja si në filma, në këtë gjendje u gjet vetura e plaçkitësve