Reagon SHBA për targat: Jemi të zhgënjyer me Kurtin, refuzoi kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dalë me një komunikatë për media ku shprehen të zhgënjyera me refuzimin e Qeverisë së Kosovës që ta zgjasë afatin e zbatimit të vendimit për targat, kërkesë ekskluzive kjo e shtetit aleat.
Në komunikatën e publikuar në faqen e Departamentit të Shtetit, Kosovës i kërkohet që ta zgjasë përiudhën e zbatimit ë vendimit për targat.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thuhet në reagimin e SHBA-së.
Tutje, theksohet se shteti amerikan është i zhgënjyer dhe i shqetësuar me Qeverinë e Kosovës që t’i dëgjojë kërkesat e tyre.
Ndërkaq, në fund, Kosovës dhe Serbisë u kërkohet që të punojnë urgjentisht për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me njohje reciproke.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, përfundon komunikata.
Ndryshe, kryeministri i vendit Albin Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë bëri të ditur se ka vendosur të bëjë shkallëzimin e sanksioneve që i presin qytetarët që nuk e respektojnë afatin e vendosur për kthim të targave ilegale në ato RKS deri më 31 tetor.
Kurti tha që vendimi për targat do të mbetet në fuqi, megjithatë janë bërë disa ndryshime.
Ai tha se kjo “është përgjigje për ndjeshmërinë e shtuar ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë”.
“Ne kemi zhvilluar dikutime të brendshme edhe kemi ardhur në përfundim të sjellim për propozim një sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve me rastin e zbatimit të këtij vendimi. Për tri javë nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor do të jetë e faza e çortimit nga 11 nëntor deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë pas të cilës datë, më 21 prill nuk do të lejohen targa tjera”, tha ai.
Para se të merrte këtë vendim, Kurti ka zhvilluar një takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it.
Takimi ndodhi pas shumë thirrjeve të këtyre shteteve ndaj Kurtit për ta shtyrë afatin e konvertimit të targave, që Serbia i lëshon ilegalisht për qytetarët serbë në Kosovë.
Besohet se afër 10.000 makina qarkullojnë në veri të Kosovës, e të cilat kanë targa të lëshuara nga Serbia me akronime serbe të qyteteve të Kosovës – sikurse KM, PR, PZ e të ngjashme.
Vendimi i ekzekutivit për targat ka filluar të zbatohet nga 1 shtatori dhe qytetarët serbë kanë kohë deri më 31 tetor t’i rikthejnë targat e tyre të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.