Mitrovicasi i ikën Policisë dhe tenton ta fsheh armën, por kapet

Policia në Mitrovicën e Jugut ka arrestuar gjatë natës një person të dyshuar për armëmbajtje pa leje, pasi ai tentoi t’i shmanget një patrulle policore, shkruan “Jepi zë”.

Rasti ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, gjatë një pikë-kontrolli në rrugën “Ulqini”, kur Njësia e Trafikut Rajonal ka tentuar të ndalojë një veturë me targa vendore. Shoferi nuk iu bind urdhrit të policisë dhe vazhdoi lëvizjen, duke detyruar patrullën dhe njësitë tjera të niseshin në ndjekje të tij.

Në një moment, i dyshuari ka braktisur automjetin dhe ka tentuar të largohet në këmbë, duke hedhur një armë zjarri të llojit pistoletë me shtatë fishekë, për ta fshehur nga policia.

Falë reagimit të shpejtë dhe koordinimit të njësive, i dyshuari u arrestua menjëherë. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, ai është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tij është iniciuar rast penal për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.

Lexo edhe:  Grenell fajëson Kurtin për situatën në veri, ka disa kërkesa për Blinken