Kritika e ashpër nga ish deputeti dhe ushtari i UÇK-së: Qeveria aktuale po zhvat shtetin si në kohën e Millosheviqit
Ish-deputeti dhe ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Shurdhaj, ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes aktuale në Kosovë, duke e krahasuar atë me praktikat e regjimit të Millosheviqit në raport me mënyrën e organizimit të zhvatjes së buxhetit të shtetit.
Sipas Shurdhajt, në mungesë të një programi politik të qartë për zhvillimin e shtetit, grupet kriminale janë organizuar për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga të gjitha fushat e jetës institucionale. Ai thekson se përmes aferës së energjisë me kompaninë GEN nga Beogradi, skemave të dyshimta të ndarjes së granteve bujqësore, financimeve nga MKRS për OJQ-të, dhe manipulimeve me rezervat shtetërore të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është duke u bërë një zhvatje e hapur e pasurisë publike.
Shurdhaj ka përmendur gjithashtu blerjet e objekteve për ambasada jashtë vendit, shpenzimet e konsiderueshme për automjete zyrtare, si dhe pagesat e individëve të caktuar me shuma të mëdha – duke përmendur rastin e Gani Jakupit – si shembuj të shpërdorimit të qëllimshëm të parasë publike.
“Tenderët njëburimor, keqpërdorimet me karburantë nëpër ministri, vjedhja e mjeteve për pajisje, madje edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, tregojnë qartë se kemi të bëjmë me një model të organizuar plaçkitjeje ndaj qytetarëve”, ka deklaruar Shurdhaj.
Ai ka bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe hetim të pavarur për këto çështje, duke paralajmëruar se heshtja ndaj kësaj zhvatjeje e dëmton rëndë të ardhmen e shtetit dhe besimin e qytetarëve në institucionet demokratike.