E rëndë: Djali sulmon fizikisht nënën në Pejë – viktima kërkon ndihmën e Policisë

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Një rast i tillë është raportuar më 31 korrik 2025 në rrugën “Francesko Bajden” në Pejë, ku një grua ka pësuar sulm fizik nga djali i saj.

Burime të Sinjalit bëjnë me dije se Policia është njoftuar për një konflikt në familje dhe patrulla ka ndërhyrë menjëherë në lokacion, ku është konstatuar se A.S., rreth 35-vjeçar ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, H.S., rreth 69-vjeçare.

Pas ndërhyrjes, i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor për procedura të mëtejshme, ndërsa viktima ka refuzuar trajtimin mjekësor dhe ka deklaruar se nuk ndjehet e rrezikuar, duke kërkuar të kthehet në shtëpinë e saj.

Njësia për Hetimin e Dhunës në Familje ka kryer intervistimin e palëve dhe ka njoftuar Prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Dhunë në familje”.

Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti do të trajtohet në vijim.

Lexo edhe:  Deputeti i PDK-së publikon një foto të 2011 në Ujman: Vizita ka pasë në vazhdimësi