Rreth 300 pacientë në ditë në Onkologji, drejtori i klinikës flet rreth furnizimit me barna

Në Klinikën e Onkologjisë të QKUK-së trajtohen brenda ditës deri rreth 300 pacientë.

Drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi bëri të ditur se furnizimi me barna është mbi 80 për qind dhe trajtimi i pacientëve po vazhdon pa ndërprerje.

Ai tha se shumica e terapive janë në dispozicion të plotë në klinikë, ndërsa disa barna janë në procedurë furnizimi nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera përkatëse.

“Furnizimi me barna sipas informatave është mbi 80 për qind dhe pacientët vijojnë vazhdimisht trajtohen me ilaçet, të cilat ne i kemi në dispozicion. Ajo çka është me rëndësi që ilaçet imuno terapi, target terapi, terapitë biologjike, terapitë për trajtim të melanomës, gjirit, kimioterapi, shumica prej këtyre janë në klinikë dhe pacientët në mënyrë rutinore vazhdojnë ta marrin, përpos disa preparateve, për të cilët nuk kanë autorizim marketingu. Ministria e Shëndetësisë me ShSKUK-në bashkë me QKUK-në me barnatoren qendrore janë në procedurat e marrjes së këtyre ilaçeve”, tha Kurtishi për EO.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë tha se të gjitha barnat e listës esenciale ofrohen falas për pacientët, duke shtuar se klinika operon me kapacitet të plotë.

“Të gjitha këto barna që janë pjesë e listës esenciale pacientët i marrin falas. Disa barna, të cilat momentalisht nuk janë në klinikë për arsye të disa procedurave, të cilat janë duke zhvilluar nga barnatorja qendrore dhe QKUK-ja dhe pacientët detyrohen t’i marrin, mbi 80 për qind në klinikë janë të disponueshëm dhe të qasshëm për pacientët onkologjikë. Klinika punon me kapacitete të plota gjatë gjithë ditës, brenda ditës e frekuentojnë klinikën gati 250-300 pacientë të cilët kryejnë vizita dhe mjekime onkologjike, nga ta mund të kemi në ditë por mbi 200 pacientë marrin shërbime ose kimioterapi dhe shërbimet tjera janë konsulta, vizita, kontrolle rutinore që bëhen pacientëve”, theksoi ai.

Lexo edhe:  Lajm i hidhur: Vdes në moshë të re, Dalina Grainca

Po ashtu, çdo ditë rrezatohen mbi 130 pacientë në shërbimin e radioterapisë, ndërsa 3-4 gra në ditë i nënshtrohen radioterapisë së brendshme.

“Kemi edhe shërbimin e radioterapisë që rrezaton brenda ditës më shumë se 130-140 pacientë çdo ditë. 3-4 femra në ditë bëjnë rrezatimin e brendshëm që është special për organet gjenitale. Klinika me kapacitete të plota gjatë 24/7 ofron shërbime për pacientë”, tha Kurtishi.