Dhunë psikologjike në familje – E reja nga Istogu denoncon hallën e burrit për provokime të vazhdueshme
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë me karakter psikologjik është raportuar më 29 korrik 2025 rreth orës 12:20 në Istog, ku një grua e re ka denoncuar një të afërme me të cilën bashkëjeton në të njëjtën shtëpi.
Viktima, E.K., rreth 22-vjeçare, ka paraqitur kallëzim penal ndaj D.B., rreth 50-vjeçare, e cila është halla e bashkëshortit të saj. Sipas deklarimeve të viktimës, ajo është vazhdimisht e provokuar me fjalë dhe sjellje nënçmuese sa herë kalon pranë të dyshuarës, dhe kjo situatë është e përsëritur përditë, duke ndikuar në mirëqenien e saj emocionale dhe ambientin familjar.
Viktima ka theksuar se nuk ka pasur kontakt fizik mes saj dhe të dyshuarës, por sjellja e vazhdueshme provokuese përbën formë të dhunës psikologjike.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Dhuna në familje” dhe të trajtohet në procedurë të rregullt, ndërsa e dyshuara është liruar.
Hetimet do të vazhdojnë për të verifikuar provat dhe deklaratat e dhëna.