Gjuajtje me armë në një aheng familjar në Dobratin – pronari i shtëpisë pranon se shtiu disa herë në ajër
Përderisa jemi në sezonin e dasmave dhe në kohën e pushimeve verore, të shtënat me armë zjarri nuk po ndalen as në gazmendet e ndryshme familjare, duke u rrezikuar në këto ngjarje edhe jeta e qytetarëve, raporton Gazeta Sinjali.
Një aheng familjar në fshatin Dobratin, komuna e Podujevës, është shoqëruar me të shtëna armësh, duke alarmuar qytetarët dhe Policinë, e cila ka ndërhyrë menjëherë në vendngjarje.
Ngjarja ka ndodhur më 29 korrik 2025 rreth orës 20:20, kur është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Imer Dervisholli”. Pas ndërhyrjes së shpejtë të njësive policore, është identifikuar personi përgjegjës: Nexhmi Imeri, rreth 59-vjeçar, pronari i shtëpisë ku po mbahej ahengu.
Imeri ka pranuar se kishte shtënë 3-4 herë në ajër dhe ka dorëzuar vullnetarisht një armë të tipit pistoletë me gas, pa fishekë. Policia ka kryer kontroll në shtëpinë e tij, ku është hartuar edhe procesverbali për sekuestrim të përkohshëm të armës.
I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Podujevë, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, ndaj tij janë iniciuar dy vepra penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës”, “Përdorim i armës”.
Hetimet për rastin janë në vijim.