Vajza vrau babain në Fier, policia arreston bashkëpuntorin që e ndihmoi në krim
Policia e Fierit po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë që ndodhi në fshatin Frashër, ku 26-vjeçarja Ermalinda Rama akuzohet për vrasjen e babait të saj, Anesti Rama.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Fierit bëri të ditur se ka arrestuar shtetasin Çlirim Dogani, 55 vjeç, banues në fshatin Arapaj, Roskovec, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar në këtë krim.
Hetimet paraprake kanë treguar se vrasja është kryer me metoda tepër të dhunshme, përfshirë strangulim dhe përdorimin e mjeteve të forta e prerëse. Sipas policisë, Dogani dyshohet se e ka ndihmuar vajzën për ta mbytur të atin.
Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar plotësisht motivet dhe rrethanat e ngjarjes.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shqipërisë në Fier:
Punë e pandërprerë hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur në fshatin Frashër, ku shtetasja E. R. vrau për motive të dobëta, babanë e saj.
Vihet në pranga bashkëpuntori i 26-vjeçares.
Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë ndalimin e shtetasit Ç. D., 55 vjeç, banues në fshatin Arapaj, Roskovec.
Nga kryerja e hetimeve dyshohet se ky shtetas ka bashkëpunuar me shtetasen E. R., në vrasjen e babait të saj nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), si edhe duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.