Serbia arreston ish-ushtarin e UÇK-së rrugës afër Beogradit

Mediat serbe, të martën, kanë raportuar për arrestimin e Lulzim Halilit, i cili ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Halili, siç raportohet, është arrestuar në një qytet të quajtur Svilajnac, afro 100 kilometra në juglindje të Beogradit.

I lindur më 9 prill 1966, Halili, është arrestuar nën pretendimet se ka kryer “krime kundër njerëzimit” dhe “krime lufte në territorin e Kosovës”.

Në konsultim me Prokurorinë për Krime Lufte, Halilit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 ore.

Gjatë aksionit të arrestimit të Halilit kanë qenë të përfshira Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit, Shërbimi për Zbulimin e Krimeve të Luftës pranë Drejtorisë së Policisë Kriminale të MPB-së së Serbisë, dhe Prokuroria për Krime Lufte.

Arrestimi i tij ka ardhur disa ditë pasi autoritetet kosovare arrestuan të ashtuquajturin ndihmës drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviç. Ndaj tij Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi masën e paraburgimit prej një muaji.

Popoviq u ndalua më 18 korrik në Kosovë pasi sipas autoriteteve në Kosovë gjatë një fjalimi në Hoqë të Madhe, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.

Pas këtij fjalimi në Rahovec ai u ndalua në pikën kufitare në Bërnjak dhe u dërgua në mbajtje policore.

Ndryshe Serbia, me 7 qershor arrestoi edhe ish-pjesëtarin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, të cilin e akuzoi për gjoja “vrasje të rëndë” në Banjskë të Zveçanit.

Spahiu u arrestua nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë me autobus së bashku me familjen e tij.

Lexo edhe:  Avokati i serbit të cilin e arrestoi Policia e Kosovës: Nuk ka tentuar të arratiset asnjëherë