Inflacioni “godet” ku dhemb më shumë – Rritet çmimi i kafes në Kosovë
Kosovarët po përballen me çmime gjithnjë e më të larta, ndërsa inflacioni vazhdon të rritet nga muaji në muaj.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në muajin qershor 2025 është rritur me 4.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në krahasim me muajin maj 2025, indeksi është rritur me 0.7%, duke reflektuar një përshpejtim të ndjeshëm të inflacionit. Për ilustrim, inflacioni në maj ishte 3.6%, në prill 3.0%, ndërsa në janar të këtij viti vetëm 1.5%.
Çmimet më të prekura
Rritjet më të mëdha janë regjistruar te produktet bazike dhe shërbimet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetesën e qytetarëve:
Kafeja dhe çaji: +18.2%
Energjia elektrike: +17.8%
Frutat: +14.8%
Pushimet e organizuara: +13.3%
Mishi: +12.8%
Shërbimet për automjetet personale: +10.4%
Vajrat dhe yndyrnat: +9.7%
Shërbimet hotelierike: +7.7%
Perimet: +7.2%Shërbimet ambulatore (mjekësore): +7.1%
Këto të dhëna tregojnë qartë se inflacioni po ndikon më së shumti në artikujt e konsumit të përditshëm dhe në shërbimet bazike, duke e rënduar barrën ekonomike për shumicën e familjeve.