“250 euro për muaj”/ Pak para e shumë shpenzime, jeta e shtrenjtë detyron studentët të punojnë

Koha e studimeve sa është e bukur është edhe e vështirë. Shumë gjëra njëherazi, koha kur energjia dhe ambiciet janë në balancë me njëra-tjetrën. Netë pa gjumë e orare të gjata. Jeta e një studenti në Prishtinë nuk është e lehtë.

Ka rreth një muaj prej kur ka filluar viti akademik 2022-23 dhe shumë të rinj nga vende të ndryshme të Kosovës por edhe nga vendet e rajonit kanë filluar studimet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Për të ndjekur ligjëratat dhe ushtrimet nuk mjafton vetëm dëshira dhe motivi, studentëve iu duhen edhe një shumë e të hyrave mujore për të mbuluar shpenzimet, që përfshijnë pagesat për banim, ushqim, literaturë e veshmbathje. Ndonëse disa prej tyre kanë zgjedhur konviktet si opsion banimi apo banesa private, disa të tjerë udhëtojnë çdo ditë e bëjnë kilometra të gjata për të qenë të pranishëm gjatë ligjëratave.

Studentët që shfrytëzojnë konviktet paguajnë 35 euro, për banim dhe ushqim. Ndërsa për ata që gjejnë banesa private për të banuar, me 35 euro nuk mund ta paguajnë as qiranë e një banese, për person. Për t’i përballuar shpenzimet, krahas studimeve, shumë prej tyre kanë zgjedhur edhe të punojnë e të mos bëhen barrë për familjet e tyre.

Siç dihet për nivelin e pagave në Kosovë, gjendjen e krizës që po mbretëron në vend, rritja e çmimeve, mbulimi i shpenzimeve mujore është i vështirë për vetë studentet dhe familjet e tyre.

Gazeta Sinjali ka marrë rrëfimin e disa studentëve, të cilët kanë treguar për shpenzimet, sidomos në këtë periudhë kur çmimet janë tejet të larta dhe jo të gjithë mund t’i përballojnë.

Në një rrëfim për Sinjalin, njëra nga studentet e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ka treguar se si është detyruar të gjejë një punë, e cila shpesh e lë edhe mbrapa me ligjërata e ushtrime, vetëm që të arrijë t’i bëjë ballë shpenzimet gjatë kohës së vitit akademik, periudhë kjo kur qëndron në kryeqytet.

Lexo edhe:  Burri 60-vjeçar rrahet me gruan në shtëpi derisa bëhen për spital, pastaj përfundojnë të dy në Polici

“Si për çdo student edhe për mua është e vështirë që t’i bëj të dyja njëkohësisht, zakonisht gjatë paradites mundohem që të jem e pranishme në fakultet, dhe pasdite nga ora 5 deri në 12:30 jam në punë. Koha për të studiuar është e limituar pasi që nga mëngjesi e deri në mesnate jam jashtë, por shpenzimet që kam mund t’i mbuloj duke marrë parasysh që pagesa në konvikte nuk është rritur”, ka thënë J.S.

Edhe SH.R, nga komuna e Suharekës, studente në Fakultetin Filozofik ka zgjedhur të jetojë në Prishtinë në një banesë private së bashku me katër vajza të tjera, ku secila prej tyre paguan nga 52 euro për qira, pa përfshirë pagesën për energji elektrike dhe ujë, e që sipas saj fatura e energjisë eklektike vjen me çmim të lartë, për shkak se e përdorin edhe për ngrohje, mund t’i bie secilës nga 25-30 euro për ta paguar faturën e rrymës.

Kjo e fundit nuk ka zgjedhur që edhe t’i ndjekë ligjëratat edhe të punojë, për të më e rëndësishme është që njëherë të mbarojë studimet në Departamentin e Psikologjisë, pastaj të punësohet në fushën që po studion.

“Jeta për studentët është e vështirë kemi shpenzime, jemi larg familjes. Çdo gjë duhet ta bëjmë vetë, të paguajmë qiranë, rrymën, përgatisim ushqim e gjëra të tjera. Përafërsisht më duhen 200 ose 250 euro për një muaj, unë nuk punoj shpenzimet i mbulon familja ime, kam zgjedhur që të fokusohem në përfundimin e provimeve në afat dhe pas diplomimit ose në fund të studimeve mendoj të gjejë një punë në profesionin tim”, tha ajo për Sinjalin.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Ky është 26-vjeçari që u ther për vdekje në Prizren

Shpenzime të mëdha edhe për ata që udhëtojnë

Ndërkohë një studente tjetër, po ashtu në Fakultetin e Filologjisë është edhe V.I, nga një fshat i Komunës së Lipjanit, e cila ka zgjedhur që të udhëtoj çdo ditë nga atje, por që shpenzimet nuk është se janë më të ulëta.

Ajo ka treguar se përveç transportit që duhej të paguajë rreth 4 euro, nga Prishtina në Lipjan dhe nga qyteti për në fshat. Por, përveç kësaj, derisa ajo qëndron gjatë gjithë ditës në kryeqytet për shkak të orarit të ligjëratave dhe ushtrimeve, i bie të shpenzoj edhe për ushqim e literaturën e nevojshme për studime.

“Të udhëtosh çdo ditë është mjaft sfiduese për një student sepse përveç kohës që kalojmë gjatë kolonave të gjata, të udhëtosh të harxhon edhe energji. Gjatë kohës që jam në fakultet ka shpenzime, për shkak se duhet që të sigurojmë literaturën e përveç kësaj janë edhe shpenzimet e tjera, kafe dhe ushqim ”, përfundoi V.I.

Jeta në konvikte

Në një prononcim për Sinjalin ka folur edhe Drejtori i Qendrës Studentore, Fatmir Sfishta, i cili tha kjo qendër ofron strehim, ushqim, hapësirat për studim si dhe kushte për kulturë e sport.

“Qendra e studentëve ka kapacitet rreth 4000 vende, ofron kushte të mira dhe komode për banuesit e konvikteve. Secili konvikt posedon sallat e leximit dhe në tërësi janë 3 biblioteka”, tha Sfishta.

Sfishta ka folur edhe për çmimet në konvikte, ku studentët duhet të bëjnë pagesën çdo muaj, në afatin kohor të cilin e përcakton “Qendra e Studentëve”.

“Çmimi i pagesave është 35 Euro për muaj, 20 Euro për banim dhe 15 Euro për ushqim”, deklaroi Sfishta.

Lexo edhe:  “Ishte në kërkim nga policia”, arrestohet 21-vjeçari nga Prizreni

Vitet e fundit është vërejtur një numër i vogël i studentëve në universitete publike. Mbi 17 mijë studentë janë regjistruar këtë vit në universitete por një numër i madh i maturantëve kanë regjistruar studimet edhe në universitetet e kolegjet private. Janë rreth 10 mijë studentë të regjistruar në institucionet arsimore private, ose mbi 1 mijë më shumë se sa në universitete publike.