Moskonstituimi i Kuvendit, Osmani: Do t’i drejtohem përsëri Kushtetueses me një pyetje të veçantë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime lidhur me ngërçin politik që po përjeton vendi.

Gjatë një diskutimi në Hudson Institute, ku po qëndron në Shtetet e Bashkuara, Osmani theksoi se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk ka ofruar mjaftueshëm sqarime mbi pasojat ligjore në rast se Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri më 26 korrik.

“Është e qartë që në kushtetutën tonë, kur e hartuam, ishte e pamundur të parashikohej çdo skenar. Ajo u hartua me një mendim pozitiv që ligjvënësit do të bashkëpunonin dhe jo të bllokonin njëri-tjetrin dhe institucionin. Për momentin, për shkak të mungesës së një qartësie kushtetuese, Parlamenti ende nuk është konstituar. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar një afat të detyrueshëm 30-ditor, që skadon më 26 korrik, për konstituimin e Parlamentit, por nuk ka sqaruar pasojat ligjore të mosrespektimit të këtij afati. Kjo do të thotë që do të më duhet të drejtohem sërish në Gjykatën Kushtetuese dhe t’i bëj atyre këtë pyetje të veçantë”, ka thënë Osmani, duke shtuar se shpreson për një përgjigje të qartë nga ana e gjykatës.

Megjithatë, presidentja ka shprehur optimizëm për tejkalimin e ngërçit politik, duke theksuar se është e nevojshme për Kosovën një qeveri dhe Kuvend i konstituuar. Ajo ka theksuar gjithashtu se ky ngërç po i shkakton dëme vendit dhe qytetarëve të Kosovës.

“Ndoshta mund të kemi një qeveri, pavarësisht se sa e brishtë mund të jetë, por na duhet një qeveri dhe një Kuvend i konstituuar për të parandaluar dëmet që po iu shkaktohen Kosovës. Kjo është e domosdoshme, pasi të gjithë kemi nevojë për stabilitet, përkundër faktit që çdo demokraci ka sfidat e saj. Më kujtohet se Belgjika nuk kishte qeveri për gjashtë muaj një herë në dy vjet, por ata kanë ndërtuar institucione të qëndrueshme që mund të menaxhojnë vendin. Ne gjithashtu kemi krijuar institucione mjaft të qëndrueshme që mund të merren me punët e përditshme të vendit”, tha Osmani.

Lexo edhe:  Shqetësuese: Nxënësi i shkollës ‘Meto Bajraktari’ në Prishtinë kapet me thikë, intervenon Policia