Zjarr i madh afër Manastirit të Deviçit, lokalizohet me ndihmën e NJSO-së dhe KFOR-it
Një zjarr i madh ka përfshirë një sipërfaqe të gjerë të maleve në afërsi të Manastirit të Deviçit në Skenderaj, duke rrezikuar objektin e trashëgimisë kulturore dhe shtëpitë përreth. Zjarri shpërtheu pasditen e 7 korrikut dhe vazhdoi edhe gjatë ditës së sotme, duke alarmuar autoritetet, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas Policisë, menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes për të lokalizuar zjarrin.
Për shkak të përmasave të mëdha dhe afërsisë me objektin fetar dhe banesat civile, në terren kanë intervenuar edhe eprorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Jugut dhe Stacionit Policor në Skenderaj.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar edhe Njësia Speciale Operative (NJSO) dhe pjesëtarë të KFOR-it, të cilët kanë ofruar asistencë me topa uji dhe helikopter për shuarjen e flakëve. Falë këtij bashkëpunimi, është shmangur përfshirja e Manastirit dhe shtëpive nga zjarri.
“Forcat e zjarrfikësve, policia dhe KFOR-i janë angazhuar gjatë gjithë natës dhe ditës për të lokalizuar plotësisht zjarrin,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë, Njësia e Hetimeve të Policisë në Skenderaj ka nisur mbledhjen e dëshmive. Sipas personit përgjegjës të Manastirit të Deviçit, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga telat e energjisë elektrike si pasojë e erërave të forta që kanë përfshirë zonën një ditë më parë.