Rrahje brutale dhe të shtëna me armë në Vushtrri – arrestohet një person, dy të tjerë në arrati
Një konflikt banal për shkak të një mulliri është përshkallëzuar në rrugën “Ismajl Gubetini” në fshatin Nadakofc të Vushtrrisë, duke përfunduar me një person të lënduar dhe të shtëna me armë zjarri.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se A.M, 48 vjeçar, është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për sulm fizik dhe përdorim të armës së zjarrit, ndërkohë që dy bashkëmoshtarë të tij të përfshirë në incident janë në kërkim.
Sipas hetimeve të para, konflikti shpërtheu pasi viktima, A. B., 44 vjeçar, kishte njoftuar të dyshuarin se nuk mund t’ia dërgonte grurin në mulli në fshatin Bukosh për shkak të rradhës së gjatë. Kjo duket se ka mjaftuar për ta nxitur reagimin agresiv të të dyshuarit, i cili, sipas deklarimeve të viktimës, ka shkuar bashkë me dy persona të tjerë, e kanë rrahur me grushte dhe më pas ka shtënë me armë zjarri.
Policia ka intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor për lëndime trupore, ndërsa nga të dyshuarit është arrestuar vetëm A.M, i cili është kapur pranë shtëpisë së tij.
Gjatë operacionit janë sekuestruar një armë e tipit ZORAKI 917-T, dy gëzhoja dhe një karikator.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar për “Lëndim i lehtë trupor”, “Mbajtje të paautorizuar të armës” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”