Protesta të mëdha në disa qytete të Serbisë – Vuçiq u bën thirrje qytetarëve të mos i bllokojnë qytetet, a është kjo shenjë për përshkallëzim?
Në Serbi, sot pritet të mbahen protesta të organizuara nga studentët e lëvizjes dhe qytetarët të cilët kanë bërë thirrje për mobilizim kundër brutalitetit policor. Ata u kanë kërkuar qytetarëve që të bashkohen në bllokimin e qyteteve kryesore të vendit – Beogradit, Novi Sadit, Nishit dhe Kragujevcit dhe këto protesta ka kohë që kanë filluar në Serbi.
Sipas organizatorëve, protesta është përgjigje ndaj dhunës në rritje të autoriteteve dhe partisë së Aleksandar Vuçiqit dhe një thirrje për drejtësi, si dhe respektim të të drejtave qytetare, raportojnë mediat serbe.
Ndërkohë, Presidenti i Serbisë, Vuçiq, u është drejtuar qytetarëve me një mesazh në Instagram, duke u bërë thirrje që të mos marrin pjesë në bllokadat e paralajmëruara, të cilat ai i cilësoi si “formë dhune”.
“Shteti nuk mund dhe nuk guxon të lejojë një formë të tillë dhune,” tha Vuçiq, duke reaguar ndaj paralajmërimeve për bllokimin e plotë të trafikut në disa qytete që nga fillimi i korrikut.
“Kur dikush bllokon qytetin, i pamundëson njerëzve të shkojnë në punë, në shtëpi apo tek të afërmit – kjo nuk është protestë paqësore. Kjo është dhunë ndaj shtetit dhe ndaj njerëzve,” theksoi ai.
Vuçiq shtoi se protesta është e drejtë e garantuar, por se bllokimi i rrugëve shkel lirinë e lëvizjes dhe sigurinë publike. “Liria e dikujt përfundon aty ku fillon dhuna ndaj tjetrit,” u shpreh ai.
Në anën tjetër ka muaj që në Serbi kanë filluar protesta anti Vuçiq dhe si duket tashmë do të marrin hov dhe më të madh.