I dhuroi punëtorit të KEK-ut një mijë euro, Mozzik e “thumbon” Labin: E vërteta e bamirësisë është heshtja, jo ‘story’-t
Këngëtari dhe humanisti nga Ferizaj, Labinot Tahiri, ka shpërndarë një fotografi ku shihet një punëtor i KEK-ut duke kryer punë të rënda, duke e shpërblyer këtë veprim me një shpërblim prej 1000 eurosh dhe një drekë në restorantin e tij personal.
Ai e ka mbajtur premtimin për shpërblim dhe e ka bërë publik, duke treguar përkushtimin e tij ndaj njerëzve që ndihmojnë dhe punojnë pa hezitim.
“Jemi gjithmonë pranë atyre që kanë nevojë dhe i mbështesim ata që japin më të mirën për të tjerët”, tha Tahiri në postimin e tij të fundit, ku theksoi se qëllimi i tij është gjithmonë që të vlerësohen punët e rënda dhe të pa shpërblyera.
Mirëpo, ky veprim i Tahirit ka nxitur reagimin e reperit Mozzik, i cili, edhe pse ka pasur raportet të mira me Labinotin, duket se ka lëshuar një thumb në lidhje me veprimet bamirësie që bëhen publikisht.
Mozzik, i cili është i njohur për angazhimet e tij bamirëse, ka postuar një mesazh në rrjetet sociale, duke theksuar se bamirësia duhet të bëhet në heshtje dhe pa pasur qëllim lavdërimi apo vëmendje publike.
“Bëje të mirën dhe gjuaje në det – jo për t’u kthyer, por se ashtu ta thotë zemra. Sepse e mira s’është peshk që e hedh për ta zënë prapë, por bekim që e lëshon pa pritur duartrokitje. Kush e reklamon të mirën, s’e ka bërë për hir të saj – por për veten, për lavdinë, për pëlqimet. E vërteta e bamirësisë është heshtja, jo ‘story’-t”, ka shkruar Mozzik në postimin e tij.