Ngjarje si në filma në parkingun e restorantit “Krap” në Mitrovicë – Persona të maskuar qëllojnë drejt veturës së pronarit dhe zhduken pa gjurmë

Një ngjarje që të kujton skenat e filmave është regjistruar mbrëmë në Mitrovicë, kur dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë tentuar të ekzekutojnë një sulm të rrezikshëm në parkingun e restorantit “Krap”.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se cak i këtij sulmi ishte vetura e Arbër Osmanit, 30-vjeçar, pronar i këtij lokali, i cili fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:15 në rrugën “Driton Veliu”, ku dy persona të panjohur, të pajisur me helmeta dhe që lëviznin me motoçikletë, kanë shtënë disa herë me armë zjarri drejt veturës luksoze Audi Q8 të parkuar në oborrin e restorantit.

Të dyshuarit janë larguar menjëherë nga vendngjarja në drejtim të panjohur. Në skenën e sulmit është konstatuar një vrimë në derën e pasagjerit të veturës, e cila dyshohet të jetë shkaktuar nga plumbat, ndërsa nuk janë gjetur gëzhoja apo predha.

E gjithë ngjarja është incizuar nga kamerat e sigurisë së lokalit dhe tashmë është duke u analizuar nga hetuesit e Policisë.

Me rekomandim të prokurorit, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Hetimet janë në vijim dhe policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Lexo edhe:  Lajm i rëndë: Vdes foshnja 6 muajshe nga fshati Koshtovë