Shtëpia e Bardhë: Mund të përfshihen edhe SHBA në luftën Izrael-Iran

“Shpejt do të ketë paqe”, ishte mesazhi më i fundit i Donald Trumpit për situatën në Lindjen e Mesme. Por në të njëjtën kohë, shefi i Shtëpisë së Bardhë la të kuptohet se nuk është e pamundur që Shtetet e Bashkuara të përfshihen në konfliktin Iran-Izrael.

Sipas mediave të huaja madje, Trump thotë se është “i hapur” që homologu rus Vladimir Putin të jetë një ndërmjetës. “Është e mundur që ne të përfshihemi” në betejën e vazhdueshme midis armiqve të mëdhenj të Lindjes së Mesme, tha Trump në një intervistë për ABC News, që nënvizoi megjithatë se presidenti republikan u kujdes të theksonte se SHBA-ja për momentin nuk është e përfshirë në aksionin ushtarak.

Sa për Putinin si një ndërmjetës i mundshëm në konflikt, “ai është gati. Më telefonoi për këtë. Ne patëm një bisedë të gjatë për të”, i tha Trump një gazetari të ABC Neës. Më herët të dielën, Trump i kërkoi Iranit dhe Izraelit të “bëjnë një marrëveshje” dhe t’i japin fund shkëmbimit të tyre vdekjeprurës të sulmeve.

Presidenti amerikan shtoi se ka “shumë thirrje dhe takime që po zhvillohen tani” për këtë çështje dhe se paqja mund të arrihet “së shpejti” midis dy rivalëve të mëdhenj. Pak orë pas këtij mesazhi të tij ndërkohë, një breshëri raketash iraniane u lëshua këtë mëngjes ndaj shtetit hebre duke dëmtuar edhe ambasadën amerikane atje në një kohë kur Teherani po bën thirrje për krijimin e një ushtrie islamike e cila të nisë një luftë madhore kundër Tel Avivit.

Të paktën tre izraelitë humbën jetën e dhjetëra të tjerë u plagosën kur një sërë raketash të republikës islamike arritën të derpërtojnë shtresat e sistemit mbrojtës izraelit, duke goditur si Tel Avivin ashtu edhe qytetin port të Haifasë. Sulmet shpaguese që shkatërruan disa ndërtesa banimi erdhën pasi Izraeli vrau tre figura të tjera të larta të sigurisë në Iran, shkatërroi godinën kryesore të kompleksit bërthamor të Natanzit dhe nxiti njerëzit në Iran të ngrihen për një ndryshim të regjimit.

Lexo edhe:  Shoferi i “Blue Taxi” ngacmon seksualisht turisten franceze: E nxori organin gjenital