Rasti “Banjska”, tre të akuzuar dalin sot sërish para drejtësisë

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të zhvillohet seanca e radhës për rastin “Banjska”, që lidhet me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Lajmin e ka bërë të ditur, avokati Arianit Koci.

“Këtë javë është një prej gjykimeve më të rëndësishme në Kosovën e pasluftës: gjykimi i personave të akuzuar për sulmin terrorist në Banjska, ku u vra në detyrë, duke e mbrojtur integritetin territorial të Kosovës – heroi polici Afrim Bunjaku. Une jam përfaqësues i familjes së rreshterit të ndjerë Bunjaku”, ka shkruar Koci.

Në seancën e fundit, tre prej të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq dolën para trupit gjykues dhe u deklaruan të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta, përfshirë veprat penale të terrorizmit.

Këta tre persona janë pjesë e një grupi prej gjithsej 45 të akuzuarish për sulmin e armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, që dyshohet të jetë organizuar dhe udhëhequr nga Milan Radoiçiq – ish-nënkryetari i Listës Serbe, i cili publikisht ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Ndaj 42 të tjerëve, përfshirë Radoiçiqin, po zhvillohen procedura në mungesë, pasi të njëjtit ndodhen në arrati. Ata janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL-i, ndërkohë që autoritetet kosovare vazhdojnë kërkesat për ekstradimin e tyre nga Serbia.

Aktakuza ndaj këtij grupi u ngrit më 11 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe përfshin akuza të rënda për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe krime të tjera të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit.

Seancat për këtë rast janë paraparë të mbahen më 9, 11 dhe 12 qershor, duke filluar nga ora 09:30 në ambientet e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Lexo edhe:  Dhjetëra kilogramë drogë të sekuestruar dhe tre të arrestuar në Prishtinë