Ndalohen në rrugë për t’u peshuar – Turqia i shpall “luftë” obezitetit
Në një përpjekje për të frenuar përhapjen e obezitetit, autoritetet shëndetësore në Turqi kanë nisur një fushatë të gjerë në të gjitha 81 provincat e vendit, me qëllim që deri më 10 korrik të testohen të paktën 10 milionë qytetarë.
Si pjesë e kësaj iniciative, inspektorë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë dalë në rrugë dhe ndalojnë qytetarët në vende publike si sheshe, qendra tregtare, stacione autobusësh dhe parqe për të matur indeksin e masës trupore (BMI).
Fotot nga kjo fushatë janë publikuar në Instagram nga vetë Ministria e Shëndetësisë, ku shihet sesi qytetarët peshohen në rrugë.
Ministri i Shëndetësisë, Kemal Memisoglu, deklaroi javën e kaluar se masa është ndërmarrë pas evidentimit të një përqindjeje të lartë të mbipeshës në popullatë.
“50% e turqve janë mbipeshë”, tha ai, duke theksuar se kjo përbën rrezik të madh për shëndetin publik.
“Të jesh mbipeshë do të thotë që dikush është i sëmurë dhe do të sëmuret në të ardhmen. Fëmijët e vegjël që janë obezë janë në gjendje të përballojnë tani sepse janë të vegjël, por ndërsa rriten, pesha e tyre e tepërt do të çojë në probleme ortopedike dhe të zemrës”, theksoi ministri Memisoglu, i cili gjatë një matjeje të organizuar në Ankara rezultoi vetë me peshë mbi mesataren.