Dhunon gruan para fëmijëve të mitur në veturë – arrestohet 28-vjeçari në Prishtinë

Një tjetër rast i rëndë i dhunës në familje është regjistruar në kryeqytet, ku një burrë ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij në prani të dy fëmijëve të mitur, duke e goditur atë me grushte në kokë brenda në veturë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 19:00, në rrugën “Mon Balaj” në Prishtinë, qytetarët kanë raportuar në polici për një rast ku një person po sulmonte fizikisht një femër brenda një veture Mercedes.

Në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë Njësia Policore, ku ka identifikuar të dyshuarin dhe bashkëshorten e tij Sh. M., e cila kishte shenja të dukshme të dhunës fizike. Viktima është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në QKUK.

Gazeta Sinjali merr vesh se i dyshuari gjatë deklarimit të tij në polici, ka pranuar veprimin e dhunshëm, duke pohuar se e kishte goditur bashkëshorten me grushte në kokë gjatë kohës kur ajo po e voziste veturën.

E gjithë ngjarja ka ndodhur në prani të dy fëmijëve të tyre të mitur – një vajzë 5-vjeçare dhe një djalë 4-vjeçar.

Policia ka marrë në pyetje edhe vëllanë e të dyshuarit, pasi viktima e kishte kontaktuar atë gjatë incidentit.

Pas konsultimit me Prokurorin Kujdestar, është udhëzuar inicimi i rastit për “Dhunë në familje” dhe ndalimi i të dyshuarit për 48 orë, në pritje të procedurave të mëtejme ligjore.

Lexo edhe:  Policia serbe arreston pjesëtarin e institucioneve të Kosovës, reagon Sveçla: Beogradi urgjentisht ta lirojë