Çartet i riu në Pejë pasi nëna s’ia dha 5 euro, e pret veten me xham

Nuk janë të rralla rastet kur prindërit kosovarë denoncojnë fëmijët e tyre për dhunën fizike dhe psikike që ua shkaktojnë në familje, për shkak të parave e gjësendeve me vlerë. Një rast i tillë, është denoncuar edhe mbrëmë nga një nënë në Pejë, e cila ka raportuar se është në telashe me të birin.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se deri te telashet dyshohet të ketë ardhur për shkak të mosmarrëveshjeve të 18-vjeçarit me nënën e tij për para.

Bazuar në dëshminë e nënës, i riu vazhdimisht ushtron dhunë psikike për t’i gjetur para atij dhe në momentin që nuk ia jep ato, ai rebelohet dhe bëhet agresiv duke demoluar orenditë shtëpiake.

Rasti i fundit ka ndodhur për 5 euro të cilat ia kishte kërkuar 18-vjeçari, e të cilat nëna nuk i kishte t’ia japë. Për shkak të kësaj ai goditur derën e xhamit dhe i ka shkaktuar plagë vetes.

Si pasojë e lëndimeve të marra i riu ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital dhe më pas i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’.

Lexo edhe:  Ish-shefi i “Trepçës” flet për gjendjen e rëndë në ndërmarrje: Ndihma vjetore e qeverisë u harxhua për gjashtë muaj