Millorad Dodik mbërrin në Moskë
Lideri i serbëve të Bonjës, Millorad Dodik, ka mbërritur në Moskë të enjten, ku më 9 maj do të marrë pjesë Ditën e Fitores, ceremoninë që shënon 80-vjetorin e fitores sovjetike ndaj Gjermanisë naziste.
Ai po merr pjesë me ftesë të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Në aeroportin “Sheremetjevo”, Dodikun e priti zëvendësdrejtori i Departamentit për Protokollin Shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë, Andrej Miljajev, njoftoi agjencia e lajmeve, SRNA.
Në mbrëmje, Dodik do të marrë pjesë në një darkë në Kremlin, të organizuar nga Putin për zyrtarët ndërkombëtarë që kanë shkuar në Moskë për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Fitores.
Një ditë më parë në Moskë ka mbërritur edhe kryetari i Kuvendit Popullor të entitetit serb të Bosnjës, Lista Sërpska, Nenad Stevandiq, i cili sot pritet të takohet me zëvendëskryetarin e Këshillit të Federatës së Rusisë (dhoma e sipërme e parlamentit), Konstantin Kosaçov.
Për Dodikun, Stevandiqin, dhe kryeministrin e Republikës Sërpska, Radovan Vishkoviq, Gjykata e Bosnje e Hercegovinës ka lëshuar fletarrestim kombëtar.
Megjithatë, këta dy zyrtarë kanë udhëtuar jashtë vendit edhe më herët, dhe Dodik, që nga lëshimi i fletarrestimi, ka vizituar tashmë një herë Moskën dhe është takuar me Putinin.
Në Moskë ka mbërritur më 7 maj edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa është parashikuar që më 9 maj të zhvillojë një takim bilateral me Vladimir Putinin, njoftoi Kremlini.
Vendimin për të marrë pjesë në paradën me rastin e Ditës së Fitores më 9 maj, Vuçiqi e bëri publik në fillim të marsit, pas një bisede telefonike me Putinin, raporotn REL.
Njoftimet për vizitën e mundshme të presidentit serb në Rusi kanë nxitur reagime edhe nga institucionet evropiane.
Komisionarja evropiane për zgjerim, Marta Kos, në një konferencë për media më 29 prill deklaroi se “është në dorën e presidentit të Serbisë vendimi për të udhëtuar në Moskë”, por shtoi se nëse Vuçiq e realizon këtë vizitë, ajo do ta ketë “shumë më të vështirë ta ndihmojë Serbinë të qëndrojë fuqishëm në rrugën evropiane”.
Nga liderët evropianë, përveç Vuçiqit, pjesëmarrjen në këtë ngjarje e ka konfirmuar edhe kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, i njohur për qëndrimet e tij pro-Kremlinit.
Në Rusi ka mbërritur edhe presidenti i Kinës, Xi Jinping.