I moshuari në mes të rrugës ngacmon seksualisht me fjalë të pista 14-vjeçaren në Obiliq
Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve dhe dhunës seksuale ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Në vazhdimësi është raportuar për raste të tilla, ku viktimat shpesh herë janë vajza të mitura.
Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur së fundi në komunën e Obiliqit, ku viktimë është një vajzë 14-vjeçare.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që dyshohet se ngacmoi seksualisht të miturën, është një burrë i moshës 75-vjeçare.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në sheshin e qytetit, ku viktima po qëndronte me motrën e saj. I moshuari dyshohet se ka ngacmuar seksualisht të miturën, duke iu drejtuar asaj me fjalë të pista.
Përballë kësaj situate, 14-vjeçarja bashkë me prindërit e saj ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer gjithë tmerrin që përjetoi.
I dyshuari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të moshuarit të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim seksual’. 75-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt.