Ky është polici që u prangos për dhunë ndaj të fejuarës në Gjilan – Dërgohet në mbajtje për 48 orë
Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht identitetin e zyrtarit policor nga Gjilani, i cili është prangosur nën dyshimin për dhunë në familje ndaj të fejuarës së tij.
Bëhet fjalë për Muhamet Ukshinin, zyrtar në Stacionin Policor në Gjilan, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike, si dhe kërcënime të drejtpërdrejta ndaj të fejuarës, qytetares B.Sh.
Burimet e Sinjalit brenda sistemit të drejtësisë bëjnë me dije se pas hetimeve të para, është konstatuar dyshim i bazuar se ai ka konsumuar elementët e veprës penale “Dhunë në familje”, dhe se ka rrezik të ndikojë në rrjedhën e hetimeve.
Me vendim të Prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore në Gjilan, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa Inspektorati Policor është duke trajtuar rastin në koordinim me Prokurorinë.
Ukshini është zyrtari që aktualisht mbante pozitën aktive në kuadër të Policisë së Kosovës, por ndaj tij tashmë është marrë edhe masa e suspendimit përkohësisht nga detyra për 72 orë, në pritje të një vendimi tjetër ligjor.