E shtyn babanë nga shkallët pas një debati – 15-vjeçari nga Fushë Kosova përfundon në mbajtje

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve.

Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Fushë Kosovë, ku një i mitur është arrestuar nga Policia, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij, duke e shtyrë nga shkallët dhe duke i shkaktuar lëndime trupore, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 12:30, në rrugën “Gjirokastra”, ku pas një mosmarrëveshjeje verbale në familje, i mituri ka reaguar me dhunë fizike ndaj babait të tij.

Sipas dëshmisë së viktimës, pasi kishte përfunduar debati mes tyre, djali i tij e kishte shtyrë atë nga shkallët, kështu duke i shkaktuar lëndime në këmbë, me ç’rast viktimës i është ofruar ndihmë mjekësore.

15-vjeçari është intervistuar në prani të përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale, ndërsa rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes për 24 orë.

Lexo edhe:  Inteligjenca amerikane lidh terroristët e veriut me “forcat speciale serbe dhe inteligjencën ushtarake ruse”