Policët e Kosovës trajnohen me kursin e SWAT-it amerikan, ambasada shprehet e lumtur

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë shpreh urimet dhe vlerësimin e saj për Njësinë e Ndërhyrjes Speciale të Policisë së Kosovës për përfundimin me sukses të kursit pesë-javor SWAT.

Ky trajnim është udhëhequr nga Programi i Asistencës kundër Terrorizmit i Sigurisë Diplomatike, dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve profesionale të kësaj njësie elitare, shkruan Jepi zë.

Përmes këtij trajnimi intensiv, Njësia e Ndërhyrjes Speciale ka dëshmuar profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim të lartë në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes. Ky angazhim jo vetëm që kontribuon në mbajtjen e sigurisë së Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe misioneve të tjera diplomatike, por gjithashtu thellon bashkëpunimin strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës në fushën e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit.

Ambasada amerikane ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe veçanërisht pjesëtarët e Njësisë së Ndërhyrjes Speciale për shërbimin e tyre të palodhur dhe përkushtimin ndaj ruajtjes së sigurisë së përbashkët.

Lexo edhe:  Aktori ndan dhurata për nxënësit e shkollës ku babai i tij dëshmor i kombit dha 27 vite mësim