Bastisje në Suharekë – I riu kapet me fajde, arsenal armësh dhe drogë – Gjurmët çojnë te një rrjet më i madh

Një aksion i zhvilluar mëngjesin e 16 prillit nga njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës, që kanë vënë në pranga një person të dyshuar për veprimtari kriminale të shumëfishtë.

Burime të sigurta të Sinjalit brenda hetuesisë bëjnë me dije se i arrestuari është Ylber Morina, rreth 27-vjeçar, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në veprimtari të fajdes, ndërkohë që gjatë bastisjes janë zbuluar edhe armë të ndryshme, fishekë, një automjet, si dhe substanca narkotike, që dyshohet të jetë marihuanë.

Aksioni është realizuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve/DRP-Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe DHTN-Prizren, dhe ka përfshirë: Shtëpinë dhe objektet përcjellëse në fshatin Reshtan, automjetin e të dyshuarit, një banesë me qira në rrugën “Brigada 123” në Suharekë.

Nga kontrolli janë sekuestruar:  Dy pistoleta, një armë automatike, rreth 80 fishekë, një veturë tip Opel Astra, substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë.

Burimet thonë se pista e hetimeve shtrihet më gjerë dhe se priten arrestime të tjera, pasi dyshohet se Morina është pjesë e një strukture më të madhe të fajdesë dhe shpërndarjes së narkotikëve në rajon.

Ndaj tij tashmë janë iniciuar tri raste penale: “Fajde“, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“, “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve“.

I dyshuari ndodhet në ndalim 48-orësh, ndërsa hetimet po thellohen.

Lexo edhe:  Mësimdhënësi votues i VV-së letër Nagavcit: Edhe 5 muaj dal në pension, jam i zhgënjyer nga ju