Prizrenasi i shkon te puna gruas së tij, e bën llom dhe e kërcënon se do e mbys

Si pasojë e dhunës që përjetojnë nga bashkëshortët e tyre, shumë gra kosovare kërkojnë ndihmë mjekësore në spitalet nëpër qytete të ndryshme të Kosovës. Për shkak të kësaj, ato dhunën e denoncojnë edhe në organet e rendit.

Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Ulqini’ në Prizren, Prokuroria ka nisur hetimet.

Sipas dëshmisë së gruas që ka raportuar rastin në Polici, bashkëshorti i saj dyshohet se e ka sulmuar fizikisht. Ajo ka deklaruar se pas një konflikti verbal në të cilin ishin përfshirë, burri i saj ka shkuar te vendi i saj i punës dhe ka kërkuar nga ajo që të dalë jashtë dhe ta lë punën.

Pasi ajo iu bind dhe u largua me të, i dyshuari e ka rrahur gjatë rrugës për në shtëpi duke e goditur dhe duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka edhe ka kërkuar ndihmë mjekësore. Sipas viktimës, i njëjti vazhdimisht e ka kërcënuar me vdekje duke i thënë se do e mbys atë dhe familjen e saj.

Përballë kësaj situate, ajo ka kërkuar ndihmën e Policisë, me ç’rast i dyshuari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Prizren: Punëtori i ‘Zinkunisë’ konsumon ‘nitro’ nga shishja që mendonte se ka pije freskuese, dërgohet në spital