Avdullah Hoti mungon në mbledhjen e grupit të ri parlamentar të LDK-së
Avdullah Hoti ka munguar në mbledhjen e parë të grupit të ri parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila u mbajt të enjten.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook ka ndarë fotografi nga mbledhja.
Në foto shihen 19 deputetët e LDK-së që fituan mandatin në zgjedhjet e 9 shkurtit, por jo edhe ish-kryeministri Hoti i cili ishte prej më të votuarve në parti.
“Nga takimi i parë i Grupit të ri Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mes deputetëve të rinj e atyre me plot përvojë, mes zërit të 171 mijë votuesve tanë, në rrugëtimin e palëkundur për Lidhjen tonë, për Republikën tonë, për qytetarët tanë! Një zë, një shtëpi, një qëllim!”, ka shkruar Abdixhiku krahas fotove.
Hoti e kishte vlerësuar të dobët rezultatin e partisë në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe për këtë ka thënë se LDK-ja duhet të reflektojë, duke sjellë lidership të ri.
Ai u ankua se në katër vitet e udhëheqjes aktuale, LDK-ja është distancuar nga e kaluara dhe nga njerëzit që ishin pjesë e saj, gjë që, sipas tij, ka cenuar besimin e elektoratit tradicional të partisë.
“LDK-së i duhet një lidership që punon me transparencë të plotë ndaj strukturave partiake në të gjitha nivelet, që e kthen partinë në funksionim statutor, që merr vendime kolegjiale në bazë të statutit të LDK-së (që është Kushtetuta e partisë) dhe në konsultim të gjerë me strukturat qendrore dhe lokale të partisë. anët e vendit dhe në diasporë”, ka shkruar Hoti