Policia e gjen një zollë në Banjskë të Zveçanit

Policia e Kosovës ka gjetur një armë (zollë) në Banjskë të Zveçanit.

Të mërkurën rreth orës 15:05, njësitë policore përmes rrugëve operative, kanë arritur të gjejnë në malet e fshatit Banjskë të Zveçanit një armë e llojit Zolla M-80, 64 mm, e prodhim serb.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, përfshirë edhe njësinë e specializuar për trajtimin e mjeteve eksplozive.

Arma është sekuestruar si dëshmi materiale, ndërsa hetimet për këtë rast po vazhdojnë, ka njoftuar Policia.

“Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit ‘’Mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim i pa autorizuar të armëve’’. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë publike dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo informacion të dyshimtë përmes linjave zyrtare të komunikimit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Lexo edhe:  Detaje nga sulmi ndaj policëve në Prishtinë, ky është i dyshuari që u ndalua për 48 orë