Tre gjykatës, vëllezërit e Thaçit dhe Enver Hoxhaj pronarë të vilave të sekuestruara në Brezovicë

Lista prej 75 pronave të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, përmban emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë.

Ndër politikanët që figurojnë në listë janë Enver Hoxhaj ish-Ministër, dy vëllezërit e ish-Presidentit Hashim Thaçi si dhe një numër i madh i bizesmenëve, përfshirë edhe personat e arrestuar gjatë aksioneve në Brezovicë.

Këto villa të sekuestruara, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, rezulton se janë ndërtuar në Zonën e II-të në Parkun Kombëtar “Sharri” – Zona e Brezovicës, në të cilën ndalohet ndërtimi me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”.

Sipas dokumenteve zyrtare të Prokurorisë Themelore në Ferizaj të dorëzuara në Gjykatë, thuhet se sipas këtij ligji, Zona e II-të e këtij Parku karakterizohet me ekosisteme, vlera peisazhore dhe vlera tjera të natyrës, ku mund të ushtrohet eko-turizmi, bujqësia tradicionale dhe veprimtari, të cilat nuk janë në kundërshtim me qëllimet e Parkut, kurse është e ndaluar ndërtimi i çfarëdo objekti për banim.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar listën e 75 pronave, kryesisht villa, ku figurojnë emrat e pronarëve, ku ka gjykatës të të gjitha niveleve, politikanë, biznesmenë si dhe qytetarëve të tjerë, të cilët kanë blerë villa apo kanë blerë parcela dhe më pas kanë ndërtuar villa.

Në këtë listë janë tre gjykatës të Ferizajt, të cilët janë gjykatës nga të tria niveleve të gjyqësorit. Të tretë fillimisht kanë blerë parcela në vitin 2016, ndërsa në vitet e fundit kanë ndërtuar villa. Fjala është për Mustafë Tahirin, Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hysenin ish-Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën e Apelit, si dhe Agim Maliqi, ish-gjykatës i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën Supreme. Të tre këta gjykatës, pronat i kanë blerë bashkë në vitin 2016, në sipërfaqe 2.84 ari, respektivisht 2.4 ari me një çmim prej 6 mijë euro secili.

Agim Maliqi, gjykatës në Gjykatën Supreme, ka konfirmuar se pronën, e cila është sekuestruar, e ka blerë në vitin 2016 bashkë me dy gjykatësit e tjerë, Mustafë Tahiri dhe Bashkim Hyseni, ndërsa për leje të ndërtimit të villës ka aplikuar vitin a kaluar.

Lexo edhe:  Inteligjenca gjermane paralajmëron për rritje të kërcënimit terrorist islamik

“Lejen e kom marrë vitin e kalum. Ndërtimin e kam nis afërsisht në nëntor… Këtë vit kom vazhdu dikun, mos gabofsha, prill-maj qaty dikun”, ka thënë Maliqi.

Po ashtu është pyetur gjykatësin Maliqi se pse kjo villë nuk figuron në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, sipas tij, ai ka deklaruar se vitin e kaluar nuk ka pasur objekt por vetëm themel, ndërsa villa do të deklarohet për këtë vit.

I pyetur se si ka blerë pronë dhe si ka ndërtuar në Zonën e II-të të Brezovicës, ku ndërtimi ndalohet me ligj, Maliqi ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për këtë dhe se u takon organeve që kanë lëshuar lejet që ta verifikojnë këtë çështje.

I pyetur se si i komenton zhvillimet në aksionet e Prokurorisë në sekuestrimet që po ndodhin në Brezovicë dhe pretendimet se shumë prej lejeve janë marrë përmes ryshfetit, gjykatësi Maliqi ka thënë se kjo është punë e Prokurorisë që të vërtetojë nëse kanë ndodhur këto veprime.

“Në qoftë se e vërtetojnë ata (prokuroria), duhet me na akuzu neve penalisht me na ndjek, s’kom çka me fol aty unë, unë kom apliku si çdo qytetar me dokumentacion të rregullt me ato leje urbanistike… Edhe me fol të drejtën unë fortë edhe s’jom marr me atë punë se arkitekt e kom një të afërm temin, ai na ka bo planin e ato krejt a po më kupton, aty nëse vërtetohet se ka ryshfet atëherë duhet me më ndjek penalisht mu”, ka thënë Maliqi.

I pyetur se si ka ndërtuar në zonën që nuk lejohet ndërtimi, Maliqi thotë se as sot nuk e dinë në cilën zonë e ka shtëpinë në Ferizaj dhe se për këtë përgjegjësi kanë organet komunale.

“Tash s’po bisedojmë si gjyqtar e si prokuror, unë si qytetar aty kom ndërtu. Tek e fundit ato zona edhe vet prokuroria ka pas problem me i identifiku deri sa kanë dal me aparatin e GPS-ave. Tek e fundit unë kom apliku e kom paraqit parcelën, në cilën parcelë, në cilin vend, çfarë sipërfaqe, tash unë s’jom i obligum me i ditë ato zona, tek e fundit se di shpinë ku e kom në zonë në Ferizaj, a aty qe 50 vite jetoj aty, unë se di tash në cilën zonë jom”, ka deklaruar ai.

Lexo edhe:  “E parandjeva tragjedinë”, rrëfimi tronditës i nënës së studentit shqiptar të vrarë në Amerikë

Po ashtu është kontaktuar edhe me Bashkim Hysenin, ish-Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, tani gjykatës në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, i cili poashtu ka konfirmuar se ka blerë pronën dhe ka ndërtuar villën në Brezovicë.

“Toka u ble dikun 2016, lejen e kena marrë 2018 edhe 2019 qaty ka fillu… Në procedurë të rregullt kena apliku, organet kompetente e kanë lëshu, me gjithë dokumentacionin çka është dashtë”, ka thënë Hyseni.

Ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni nëse ndërtimi në këtë zonë ndalohet, pasi ka ndjekur procedurat ligjore tek organet kompetente.

“Nuk e kom ditë ato pjesë me zona qysh janë, gjeodet nuk jam… Unë kom ble pronë aty kam pas bindje që lejohet aty për shkak se ka pas ndërtime 10 vjet e 15 vjet para neve”, ka thënë Hyseni.

Mustafë Tahiri, Kryetar aktual i Gjykatës Themelore në Ferizaj, fillimisht nuk ka pranuar të deklarohet për asgjë rreth çështjes së villës së sekuestruar.

“Ju do të informoheni me kohë për çdo detaj lidhur me këtë çështje, unë do të ju njoftoj juve personalisht edhe krejt të interesuarve, për momentin nuk kam çka me thanë”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka konfirmuar njëjtë se ka blerë pronën dhe ka filluar ndërtimin e villës, të cilën ende nuk e ka përfunduar. Ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se në këtë zonë nuk lejohet ndërtimi, pasi ka aplikuar në mënyrë të rregullt për leje ndërtimi, të cilën e ka marrë nga Komuna e Shtërpcës.

Sipas prokurorit Rasim Maloku, i cili kohë më parë ishte deklaruar në media, shumica e këtyre objekteve janë ndërtuar, duke keqpërdorur detyrën zyrtare të pandehurit, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zone.

Lexo edhe:  Gëzohen llapjanët, një fshat i Podujevës bëhet me xhami të re

Në këtë drejtim edhe janë sekuestruar objektet në Zonën II, pasiqë janë rrjedhojë e veprave penale, pasi sipas ligjit, në këtë zonë zyrtarët nuk kanë mundur në asnjë formë të lëshojnë leje ndërtimi, pasi ndalohet ndërtimi me ligj.

Siqodoftë, sipas deklarimeve publike të prokurorit Maloku, pronarët që kanë blerë villa apo kanë ndërtuar, duke mos u përfshirë në vepra penale, nuk do të hetohen dhe ndiqen penalisht, por atyre vetëm do t’iu sekuestrohen pronat, për të cilat sipas tij, të gjithë këta persona, do të kenë mundësinë ligjore që të ndjekin rrugët në procedurë civile për kompensim të dëmeve që iu shkaktohen, ndërsa për villat, sipas Malokut, do të bëhet kërkesë për rrënimin e tyre, në mënyrë që zona të kthehet ashtu siç përcaktohet në Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”.

Sekuestrimet e këtyre pronave, sipas dokumenteve të siguruara, rezulton se janë bërë duke u mbështetur në Kodin e Procedurës Penale, ku theksohet se sendet që përkohësisht mund të sekuestrohen janë sende që mund të jenë prova gjatë një procedure penale, sende ose pasuri që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, ose sende që konsiderohen dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale dhe për të cilat ligji parasheh sekuestrimin.

Pas aktakuzës së ngritur në vitin 2022 për degradim të Brezovicës nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, rasti Brezovica është zgjeruar, duke rritur numrin e personave të arrestuar dhe personave që janë nën hetim, përfshirë zyrtarë dhe biznesmen të ndryshëm, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Ndër politikanët që figurojnë në listë janë Enver Hoxhaj ish-Ministër, dy vëllezërit e ish-Presidentit Hashim Thaçi si dhe një numër i madh i bizesmenëve, përfshirë edhe personat e arrestuar gjatë aksioneve në Brezovicë.