Aksioni kundër kontrabandimit të armëve dhe municionit në veri, arrestohet edhe një polic
Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion në 21 lokacione në Mitrovicë të Jugut dhe Veriut, Leposaviq, Vushttri e Skenderaj, i cili ka të bëjë me kontrabandën e armëve dhe municionit. Prokuroria Themelore dhe Policia, kanë dalë me një komunikatë të përbashkët, në të cilën shpalosen detaje lidhur me aksionin, raporton Gazeta Sinjali.
Në komunikatë thuhet se 16 persona janë shoqëruar në Polici, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Detyrimi” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Në mesin e tyre është edhe një polic, i cili është pezulluar, ka njoftuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshani.
Ndryshe, si dëshmi materiale gjatë kontrollit janë “sekuestruar 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR”.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, 13 nga 16 të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.