Mashtrimi me villa nga ‘GG Exclusive’ – Sekuestrohen 166 parcela dhe 2 banesa në vlerë mbi 1 mln €
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me një njoftim të ri në lidhje me çështjen penale për rastin e Granit Gojanit, pronar i ‘GG Exclusive’, për të cilin muaj më parë ishte raportuar në vazhdimësi për mashtrim ndaj disa qytetarëve, me ç’rast më pas ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Në njoftim thuhet se janë ngrirë dhe sekuestruar edhe 166 parcela të cilat gjendjen në komunën e Novobërdës dhe Graçanicës, si dhe 2 banesa në vlerë prej më shumë se 1 milionë eurosh, të cilat dyshohet se janë përfituar me vepër penale.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik dhe të dëmtuarit të çështjes penale kundër të pandehurit G.G për veprën penale ‘’Mashtrimi’’ nga neni 323 par.4 se në vazhdën e hetimeve ndaj të pandehurit G.G., me datë 05.03.2025 ka ngrirë/sekuestruar edhe 166 parcela të cilat gjenden në komunën e Novobërdës dhe Graqanicës, si dhe 2 banesa në Prishtinë në vlerë mbi 1 milionë euro për të cilat eksizton dyshimi i bazuar se janë përfituar me vepër penale”, shkruhet në njoftim.
Tutje, është bërë e ditur se hetimet në lidhje me këtë rast janë duke vazhduar dhe ndodhen në fazën finale.
Kujtojmë se muaj më parë në media ishte raportuar se Granit Gojani ka marrë qindra mijëra euro nga të dëmtuarit për t’iu rregulluar vila druri, të cilat nuk i ka përfunduar kurrë, madje disa prej tyre as nuk i ka nisur.